Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 13 Korrik 2022

Sot në datën 13.07.2022, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami e shoqëruar nga zëvendëskryetari z. Ilir Rusi dhe znj. Brikena Ukperaj, Kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale mori pjesë në seancën dëgjimore për hartën e re gjyqësore, të zhvilluar para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtave të Njeriut, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ndër të tjerë ishin të pranishëm në këtë seancë të mbajtur mbi kërkesën e deputetëve të opozitës parlamentare për projektin e hartës së re gjyqësore: z. Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë, z. Alfred Balla, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Maksim Haxhia, Kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, znj. Ermonela Ruspi, Komisionere e Seksionit të Veçantë në institucionin e Avokatit të Popullit, znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, gjyqtarë, përfaqësues të East-West Management Institute, Këshillit të Evropës, Delegacionit të BE, ambasadës së SHBA, OPDAT, etj.
Gjatë fjalës së saj, znj. Llagami prezantoi procesin e ndjekur për realizimin e hartës së re gjyqësore, hartuar nga një grup pune i ngritur menjëherë pas krijimit të institucionit, me përfaqësues të KLGJ, gjyqtarë e përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.
Znj. Llagami u shpreh se harta synon shpërndarjen e drejtë të burimeve njerëzore dhe që ngarkesa e gjyqtarëve të jetë e njëjtë në të gjithë vendin. Kryetarja e KLGJ-së sqaroi se harta e re gjyqësore është hartuar si detyrim ligjor dhe për hartimin e saj është marrë ekspertiza e Këshillit të Europës, projektit të USAID, OSBE-së dhe delegacionit të BE-së. ...

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 20 Qershor 2022

Sot, në datën 20.06.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli miratoi vendimin për fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore dhe caktimin me short te relatorëve për 8 kandidatë, për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr. 178, datë 11.05.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Më tej Këshilli miratoi vendimin për emërimin e znj. Orjela Skënderi në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit Korçë, emërimin e znj. Stela Qako në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe emërimin e znj. Blerta Aliu në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Në mbledhjen plenare Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për caktimin në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Arben Dosti në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.
Gjithashtu Këshilli miratoi vendimin për caktimin në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Markelian Koça në Gjykatën e Apelit Durrës.
Në vijim të mbledhjes, Këshilli miratoi vendimin për caktimin në skemën e delegimit të gjyqtares znj. Adelajda Gjuzi në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 15 Qershor 2022

Sot në datën 15.06.2022, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami e shoqëruar nga zëvendëskryetari z. Ilir Rusi dhe z. Klodian Kurushi, Kryetar i Komisionit të Zhvillimit e Karrierës, prezantoi në seancë dëgjimore “Raportin Vjetor” mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor gjatë vitit 2021, të zhvilluar para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Znj. Llagami bëri një prezantim gjithëpërfshirës të veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, rezultateve dhe sfidave kryesore të Këshillit për të ruajtur ritmin e veprimtarisë në kuadër të përmbushjes së kompetencave kushtetuese, ligjore dhe strategjike, por mbi të gjitha për të garantuar funksionalitetin e gjykatave në funksion të ofrimit të shërbimeve gjyqësore për publikun. Në përfundim të këtij raporti Kryetarja znj. Naureda Llagami iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për “Hartën e re gjyqësore”, duke sqaruar si më poshtë: “Janë bërë tetë takime konsultimesh publike. Kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Dhomave Vendore të Avokatisë. Janë bërë edhe dy takime të tjera me përfaqësues të Shoqërisë Civile. Pas opinioneve që ka marrë grupi i punës, KLGJ ka miratuar raportin vlerësuar mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe gjykatave” deklaroi kryetarja.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 10 Qershor 2022

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 10.06.2022, mbledhjen plenare dedikuar “Hartës së Re Gjyqësore”. Në këtë mbledhje të veçantë, Këshilli miratoi raportin vlerësues përfundimtar të Grupit Ndërinstitucional të Punës mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave. Miratimi i aktit të “Hartës së Re Gjyqësore” shënon përmbylljen e një pune 3-vjeçare të Grupit Ndërinstitucional të Punës, i cili është mbështetur dhe asistuar intensivisht nga ekspertët e Këshillit të Evropës, EWM dhe INL. Në aktin e miratuar u reflektuan sugjerimet dhe opinionet e adresuara gjatë procesit të konsultimeve publike të organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nga përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë, Prokuroria e Përgjithshme, gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqësorë, si dhe organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit. Në bazë të këtyre konsultimeve GNP vendosi që reforma e “hartës gjyqësore” në Shqipëri të synojë bashkimin e gjykatave më të vogla dhe më pak efikase. Propozimi mbi “Hartën e Re Gjyqësore” është hartuar duke u bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare. Mbështetur në metodologjinë CEPEJ, propozimi mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore krijon një qasje novatore që rrit efiçencën e sistemit gjyqësor për qytetarët, realizon shpërndarjen e drejtë të ngarkesës së punës midis gjykatave dhe gjyqtarëve dhe nxit specializimin, me pasojë reduktimin e kohës së nevojshme për shqyrtimin e një çështjeje e dhënies së një drejtësie më cilësore.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 27 Maj 2022

Sot, në datën 27 Maj 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës ku shqyrtoi çështjet si vijon: Mbledhja e Këshillit të lartë Gjyqësor vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, të kandidatit z. Sokol Ngresi. Nëpërmjet kësaj vendimmarrjeje, Këshilli, përmbylli me sukses procedurën e ngritjes në detyrë për kandidatin në fjalë. Këshilli miratoi vendimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve, për tre pozicionet e shpallura të lira, përkatësisht me vendimet nr. 535, nr. 536 dhe nr. 537, datë 17.11.2021, si edhe vendosi caktimin e relatorit për secilën procedurë përzgjedhjeje. ...

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 11 Maj 2022

Sot në datën 11 Maj 2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës ku shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli miratoi vendimin për hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për një pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale.
Gjatë mbledhjes plenare u miratuan:
Vendimi paraprak për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 85, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Vendimi paraprak për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 86, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për renditjen e kandidatëve në procedurën e ngritjes në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Durrës, për pozicionin e lirë, të shpallur me vendimin nr. 392, datë 07.10.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi gjithashtu projekt raporte për vlerësimin etik dhe profesional, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimit), për periudhën e vlerësimit 2013 – 2016, të dy gjyqtarëve.
Ndër vendimet e marra sot përgjatë mbledhjes së Këshillit ishte edhe miratimi i vendimit për planin strategjik të Këshillit të Lartë Gjyqësor për sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë për periudhën 2022-2024.