Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 13 Nëntor 2020

Sot në datën 13.11.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon: Në përfundim të procedurave të verifikimit të thelluar të kushteve dhe kritereve ligjore,pasurisë dhe figurës, të kandidatit të katërt për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, z.Darjel Sina, Këshilli vendosi kualifikimin e tij si dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, pas kryerjes së verifikimit të plotë të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatit z.Eriol Roshi dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën Administrative të Apelit.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 12 Nëntor 2020

Sot në datën 12.11.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon: Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, për shkak të mosparaqitjes për arsye shëndetësore të magjistratit, Këshilli vendosi të shtyjë seancën për datën 26 Nëntor 2020. Pas shqyrtimit të kërkesës për leje të papaguar për një afat të caktuar, për shkak të përkujdesit për fëmijët e mitur, Këshilli vendosi dhënien e lejes së papaguar për znj. Alda Sadiku, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe znj. Suela Lika, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat. Në vijim, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore përkatëse, si dhe me qëllim dhënien e ndihmës dhe lehtësimin e punës në gjykatat e apelit të vendit, Këshilli vendosi detajimin e pozicioneve aktuale të ndihmësve ligjorë nga gjykatat administrative të shkallës së parë pranë gjykatave të apelit të vendit si dhe emërimin e përkohshëm në pozicionin e këshilltarit ligjor në Gjykatën e Lartë të kandidatëve që kanë përfunduar programin e formimit fillestar 2019-2020 në Shkollën e Magjistraturës dhe konkretisht z. Metush Meçka, znj. Edlira Llango, z. Gerti Shani dhe znj. Evriklejda Semani. Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së verifikimit për shkak të dorëheqjes, për z. Ilir Korbi, kandidat për ndihmës ligjor për fillimin e programit të formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës. Në kuadër të mirëadministrimit dhe menaxhimit të fondeve të buxhetit gjyqësor, Këshilli vendosi rishpërndarjen e fondeve buxhetore në shpenzime operative, për disa gjykata të vendit. Në përfundim, në përputhje me detyrimet ligjore, Këshilli miratoi listën e gjyqtarëve kandidatë për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, listë e cila do i përcillet menjëherë Presidentit të Republikës, në funksion të zhvillimit të procedurave të shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 05 Nëntor 2020

Sot në datën 05.11.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon: Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…} me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për datën 12 Nëntor 2020, për shkak të mosparaqitjes në seancë për arsye shëndetësore të magjistratit. Në vijim të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në disa gjykata, Këshilli vendosi përfundimin e procedurave për shkak të tërheqjes për një ose disa pozicione të lira për kandidatët z. Engert Pëllumbi, z. Erjon Bani, znj.Irida Kacerja dhe znj. Migena Laska si dhe fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, për pozicionet e lira të shpallura me datë 07.10.2020. Gjithashtu në këtë kuadër, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për një pozicion të lirë në Gjykatën e Apelit Korçë, dy pozicione të lira në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe një pozicion të lirë në Gjykatën e Apelit Vlorë. Në vijim, me qëllim lehtësimin e punës për evadimin e shpejtë të çështjeve gjyqësore, Këshilli vendosi krijimin e bazës së të dhënave në Gjykatën e Lartë si dhe dhënien e aksesit në sistemet e menaxhimit të çështjeve gjyqësore të gjykatave. Në përfundim, Këshilli vendosi komandimin në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Sokol Pina si dhe caktimin e tij për të gjykuar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

Njoftim për shtyp i datës 04 nëntor i Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë ka filluar shqyrtimin e çështjeve gjyqësore në seanca publike, sipas kalendarit të planifikuar dhe shpalljeve në faqen zyrtare të kësaj gjykate si dhe ambientet e jashtme të saj. NJOFTIM PËR MEDIAN Gjykata e Lartë ka filluar shqyrtimin e çështjeve gjyqësore në seanca publike, sipas kalendarit të planifikuar dhe shpalljeve në faqen zyrtare të kësaj gjykate si dhe ambjentet e jashtme të saj. Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e palëve në proces dhe avokatëve, të cilët kanë paraqitur rekurse pranë kësaj gjykate, të konsultohen rregullisht me shpalljet zyrtare që bën Gjykata e Lartë në faqen e saj të internetit www.gjykataelarte.gov.al , “Lista e Çështjeve të Shpallura për Gjykim” si edhe në ambjentet e jashtme të gjykatës (stendat publike).

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 28 Tetor 2020

Sot në datën 28.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon: Pas shqyrtimit të kërkesës së znj. Evjeni Sinojmeri, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, për dhënien e lejes shtesë të papaguar, Këshilli vendosi refuzimin e kërkesës. Gjithashtu, pas shqyrtimit të kërkesës për dorëheqje, Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar {…}. Në vijim të verifikimit të thelluar të kandidatëve për pranimin në Shkollën e Magjistraturës, Këshilli vendosi kualifikimin e z. Entiljano Spahiu dhe znj.Mevlute Çaushi për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2020-2021. Në përfundim, përpara fillimit të ushtrimit të detyrës, nëntëmbëdhjetë magjistratët e caktuar në gjykatat e vendit ditën e djeshme, u betuan mbi Kushtetutë përpara Këshillit, në një ceremoni solemne, duke iu shtuar trupës gjyqësore.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 27 Tetor 2020

Sot në datën 27.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon: Në përfundim të studimeve në Shkollën e Magjistraturës dhe pas kalimit me sukses të kontrollit rigoroz të pasurisë, figurës dhe integritetit personal, Këshilli vendosi të caktojë në pozicion, në disa gjykata të vendit, një grup prej nëntëmbëdhjetë magjistratësh. Vendimmarrja e sotme për caktimin në pozicion të këtij grupi magjistratësh është në fakt një ngjarje shumë e rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe publikun, pasi gjykatave të vendit i shtohen profesionistë të rinj dhe me integritet, me vullnet dhe kurajo për të dhënë drejtësinë e kërkuar, duke bërë të mundur funksionimin normal të këtyre gjykatave, evadimin e çështjeve gjyqësore dhe shërbimin në kohë dhe me cilësi ndaj publikut. Konkretisht magjistratët e caktuar në pozicion janë si mëposhtë vijon: 1. Znj.Anjeza Buzo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë; 2. Znj.Alda Sadiku, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin; 3. Znj.Thomaidha Roça, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë; 4. Znj.Jeta Qinami, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier; 5. Znj. Sonila Hoxha, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier; 6. Z. Fatmir Ndreu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë; 7. Znj. Arjeta Lika, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; 8. Z. Alban Veçani, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë; 9. Znj. Entela Gjoni, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat; 10. Znj. Suela Lika, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat; 11. Z. Gjergji Baçi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet; 12. Znj. Marjola Beluli, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet; 13. Z. Aulon Pashaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë; 14. Znj. Arnisa Këlliçi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë; 15. Z. Adrian Shega, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë; 16. Z. Gentian Jahjolli, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër; 17. Znj. Maela Alicanaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier; 18. Z. Enkel Peza, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë; 19. Znj. Miranda Nakaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; Në vijim Këshilli vendosi përfundimin e kohëzgjatjes së komandimit si ndihmës magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, të z.Florjan Kalaja, komandimin e tij në skemën e delegimit të gjyqtarit dhe caktimin si gjyqtar i skemës së delegimit, në Gjykatën e Apelit Durrës. Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e kohëzgjatjes së komandimit si ndihmës magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, të z.Engert Pëllumbi, komandimin e tij në skemën e delegimit të gjyqtarit dhe caktimin si gjyqtar i skemës së delegimit, në Gjykatën e Apelit Vlorë. Në përfundim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit {…}, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe shkarkimin nga detyra të magjistratit {…}.