Përkufizime

Në këtë hapësirë janë Përkufizime Ligjore për institucione, funksione, procedura apo kategori dokumenti që përkojnë me Sistemin e Drejtësisë.

GJK

Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese, bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe i nënshtrohet vetëm asaj, neni 124. Organizimi dhe funksionimi i kësaj gjykate rregullohen me dispozitat e pjesës së tetë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, "Gjykata Kushtetuese" sikur edhe ligji nr. 8577 datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë" (Ndryshuar me ligjin nr. 99/2016, datë 06.10.2016) dhe Rregullorja e Brendshme "Mbi gjykimin kushtetues dhe funksionimin e administratës"

KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit është një institucion Kushtetues, i krijuar me Kushtetutë pas ndryshimeve të bëra në Vitin 2016 si pjesë e Paketës Ligjore për Reformën në Drejtësi. Ky kolegj është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b Kushtetuta, Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit nr. 84 /2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, rregullores “Për veprimtarinë e Kolegjit të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese”, si dhe rregulloreve të tjera të miratuara

KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një institucion Kushtetues, i krijuar me Kushtetutë pas ndryshimeve të bëra në Vitin 2016 si pjesë e Paketës Ligjore për Reformën në Drejtësi. Ky komision përbëhet nga katër trupa gjykues të përhershëm me tre anëtarë secili. Kushtetuta e rregullon këtë Komision (KPK) përmes: nenit 179/b të Kushtetutës dhe Aneks "Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve"

IKP

Institucioni i Komisionerëve Publikë është një institucion Kushtetues, i krijuar me Kushtetutë pas ndryshimeve të bëra në Vitin 2016 si pjesë e Paketës Ligjore për Reformën në Drejtësi. Ky komision është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b të Kushtetutës dhe aneksit kushtetues. Mandati i Institucionit të Komisionerëve Publikë është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit dhe Komisionerët Publikë, referuar nenit C, pika 3, të aneksit të Kushtetutës "Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve", gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë gjatë mandatit të tyre

BKH

Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale, neni 5 Ligji nr. 95/2016 "Për organizmin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar"

SPAK

Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është struktura e përbërë nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, neni 3 Ligji nr. 95/2016 "Për organizmin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar"