img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/24

KPA pezullon Luan Dacin pasi u mor i pandehur nga SPAK

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi pasditen e të premtes vendimin për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Luan Daci, pas marrjes së tij të pandehur për falsifikim të dokumenteve. “Pas vënies në dijeni nga vetë gjyqtari Luan Daci, për marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua sot Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila vendosi: Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Luan Daci”, citohet në njoftimin e KPA. Në pikën 2 të vendimit të Mbledhjes së Gjyqtarëve të KPA, u kërkohet organeve proceduese, gjykatës dhe prokurorisë, të vijojnë me një proces të shpejtë. Anëtari i KPA, Luan Daci, u thirr të enjten në ambjentet e SPAK ku ju komunikua akuza e ngritur ndaj tij për falsifikim të dokumenteve. “Ditën sotme ju komunikua akuza për falsifikim të dokumenteve, si dhe të drejtat e tij. Pasi i pandehuri të paraqesë parashtrimet lidhur me akuzën dhe ato të vlerësohen, do të procedohet edhe me dërgimin e çështjes për gjykim”, pohoi të enjten për BIRN drejtuesi i SPAK, Arben Kraja. SPAK e akuzon anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme si dhe mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997. “Thelbi ishte i njëjtë…, i njëjti fakt, nuk kishte ndonjë provë të re. I’u qëndrojmë të gjitha pretendimeve tona, që nuk kemi të bëjmë me vepër penale”, pohoi për mediet avokati Andi Durraj pas komunikimit të akuzës të përfaqësuarit prej tij, Luan Daci. Një masë sigurie për pezullimin nga detyra të Dacit e vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u rrëzua nga trupa gjyqësore e Apelit e përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara dhe Nertina Kosova – ndërkohë që gjyqtari Sokol Binaj ishte në minorancë. Dy anëtarët e shumicës argumentuan se paraqitja e të dhënave të rreme gjatë procesit të aplikimit për një post në institucionet e vetingut nga Daci nuk ka elementë të veprës penale të falsifikimit. Sipas shumicës, mos-paraqitja, mos-shënimi apo mohimi i Dacit për masën disiplinore të largimit nga puna është një fakt që i mungon kundërligjshmëria. Gjykata vlerësoi gjithashtu se hetimet e prokurorit nuk ishin zhvilluar mbi faktet e nevojshme që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale të falsifikimit të dokumentit nga Daci, por me hetimet që lidhen me ‘pozicionin e anëtarit të institucionit të rivlerësimit’, që u janë ngarkuar me ligj institucioneve që kishin detyrë të përzgjidhnin anëtarët e institucioneve të rivlerësimit. Anëtari në pakicë i trupës, gjyqtari Sokol Binaj argumentoi se origjina e falsitetit në “kërkesën për aplikim” e ka prejardhjen në manipulimin e konkluzioneve të këtij dokumenti. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kundërshtoi në Gjykatën e Lartë vendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të KPA-së, Luan Daci, duke i konsideruar argumentet e Apelit si “sipërfaqësore” dhe jo në përputhje me parashikimet e Kodit Penal për veprën e “falsifikimit të dokumenteve”.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu