img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/27

Alaudin Malaj, një nga gjyqtarët më të pasur në vend jep dorëheqjen

Alaudin Malaj, një gjyqtar karriere me eksperiencë prej gati tre dekadash, dha dorëheqjen të hënën në një letër të dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke hequr dorë në këtë mënyrë nga titulli i magjistratit dhe nga mundësia për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për së paku 15 vjet, ndërsa i shpëtoi në këtë mënyrë edhe përballjes me procesin e rivlerësimit kalimtar, të njohur si Vetingu i Gjyqësorit. Malaj, i cili u hetua nga prokuroria dhe doli i pafajshëm për pastrim parash, disponon një pasuri të deklaruar prej 1.7 milionë eurosh. Një zëdhënës i Këshillit të Lartë Gjyqësor konfirmoi dorëzimin e letrës së dorëheqjes së Malajt, një pjesë e së cilës u publikua më herët gjatë ditës në një pjesë të medias. Në vitin 2015, kur Shqipëria ishte duke diskutuar nevojën ose jo të një reforme të thellë të sistemit të drejtësisë, Malaj u bë i njohur në publik kur deklaroi në televizion se është e papranueshme që të quhet makinë luksi një makinë gjashtë vjet e vjetër. “Makinë gjashtë vjet, ta quash makinë luksi, nuk shkon, aq më tepër në sistemin e sotëm ku makinat tre vjet, katër vjet hidhen poshtë. Të quash makinë luksi një makinë të vitit 2008 është e papranueshme për mua,” deklaroi Malaj në atë kohë, i cili, sipas deklaratave të tij të pasurive dispononte një makinë Benz S350 të blerë në vitin 2011 për 63 mijë euro.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu