img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/10/02

Dhuratat e shumta nga familjarët ngrenë pikëpyetje mbi pasurinë e gjyqtarit Neritan Cena

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime mbi pasurinë e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Neritan Cena, pasi gjeti transaksione të shumta në dhurata dhe hua nga persona të lidhur si dhe shitje në së paku dy raste të makinave të ndryshme me çmime më të larta sesa çmimet e blerjes.

Cena u shpreh i revoltuar me gjetjet e Komisionit dhe atij iu tërhoq vëmendja të kishte kujdes me tonin gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve me vëzhguesin ndërkombëtar, Steven Kessler. Cena ngriti pikëpyetje mbi metodologjinë e ndjekur nga KPK për analizën financiare si dhe për cilësinë e analizës së kryer, si dhe kërkoi konfirmim në detyrë.

Cena u përball me gjetjet e hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli, Etleda Çiftja.

Relatorja Çiftja vuri në dukje se z. Cena ka blerë dy apartamente në Bremen të Gjermanisë dhe një apartament në Tiranë, të cilat i ka paguar me anë të dhuratave dhe huave nga persona të afërt, si babai, motra, kunata, baxhanaku dhe një djalë daje.

Sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe të Konfliktit të Interesave si dhe sipas hetimit administrativ të KPK, Cenaj i ka deklaruar saktë transaksionet që ka blerë, por atij i mungojnë burimet e ligjshme për to. Edhe babait të Cenës, i cili ka dhuruar shuma parash duket gjithashtu se i mungojnë burimet financiare.

Në vitin 2015, Cenaj rezulton se ka blerë një apartament 98 metra katrorë në Bremen të Gjermanisë për 25 mijë euro, të cilën e ka paguar me një dhuratë nga babai në masën 22,757 euro si dhe me disa kursime.

Në vitin 2017, Cenaj ka blerë nga babai një apartament në Selitë të Tiranës me sipërfaqe 121 metra katrorë me vlerën 5.4 milionë lekë. Në këtë rast, burimi i të ardhurave të deklaruara është një hua e marrë nga kunata, emigrante shqiptare në Austri.

Cena ka blerë gjithashtu edhe një apartament të dytë në Bremen, Gjermani, me sipërfaqe 78 metra katrore dhe me çmim 48,500 euro, për të cilin ka paguar përmes sigurimit të 20 mijë eurove nga shitja e një makine dhe 16 mijë euro dhuratë nga e motra, emigrante në Itali. Ai ka deklaruar më tutje se ka marrë për këtë blerje 9 mijë euro hua nga e motra si dhe ka paguar 1108 euro nga kursimet e tij në vite.

Çiftja vërejti se marrëdhëniet e shumta financiare mes gjyqtarit dhe të atit, motrës dhe të kunatës, kanë ngritur pikëpyetje mbi ekzistencën e burimeve financiare të mjaftueshme te subjektet e lidhur.

Sipas analizës financiare të kryer nga KPK mbi të ardhurat e të atit të subjektit, i cili ka punuar si mjek në zonat rurale, duket se ai ka shpenzuar 10.5 milionë lekë për blerje pronash pas vitit 1994, ndërsa ka pasur 9 milionë lekë të ardhura dhe rreth 4 milionë lekë shpenzime minimale për një diferencë të pambuluar prej 5 milionë lekësh. Po kështu, KPK ngriti pikëpyetje mbi gjendjen financiare të motrës së subjektit dhe kunatës dhe mundësisë financiare për të bërë dhurata dhe për të dhënë hua.

Pikëpyetje u ngritën edhe mbi së paku dy transaksione në shit-blerje makinash. Në një rast, subjekti rezultoi se ka shitur për 400 mijë lekë, një automjet Benz që e kishte blerë disa vite më parë për 250 mijë lekë. Automjeti, sipas KPK, është çregjistuar për qëllim likuidimi për skrap pak kohë pasi Cena e shiti.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu