img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/30

KPA largon nga sistemi i drejtësisë gjyqtaren Regleta Panajoti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten që të ndërpresë procesin e rivlerësimit për gjyqtaren e gjykatës së Tiranës, Regleta Panajoti si dhe t’i heqë të drejtën për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. Gjithashtu, Kolegji vendosi edhe ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që e konfirmoi me shumicë votash në detyrë Panajotin.
Regleta Panajoti kërkoi dorëheqjen nga detyra pas ankimit të kryer nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa, sipas të cilit subjekti i rivlerësimit nuk e justifikon pasurinë dhe se nuk ka bërë deklarim të mjaftueshëm në këtë kriter.
Kryesuesi i trupit gjykues të KPA, Ardian Hajdari shpjegoi në fillim të seancës publike të enjten se ishte konfirmuar prej Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ-së, se gjyqtares Panajoti i ishte njoftuar vendimi për mbarimin e statusit sipas ligjit, në adresën e saj postare; pranë vendit ku ushtron detyrën në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë; në adresën elektronike, si dhe është publikuar në faqen zyrtare. Gjithashtu, KLGJ ka njoftuar se në rastin konkret ka përfunduar afati i ankimit.
Bazuar në kërkesën e KPA, Gjykata administrative e Apelit ka njoftuar se deri më datë 28 korrik, ora 16:00 nuk është depozituar asnjë ankim kundër vendimit të KLGJ për deklarimin e përfundimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren Regleta Panajoti.
Kryesuesi Hajdari shtoi se Panajoti kishte konfirmuar nëpërmjet një email-i marrjen në dijeni të vendimit të KLGJ për mbarimin e statusit të magjistratit dhe se vullneti i saj kishte qenë dhe mbetej dorëheqja, si dhe kërkonte ndërprerjen e procesit të rivlerësimit.
Pasi Kolegji i kërkoi Komisionerit Publik Florian Ballhysa që të jepte qëndrimin e tij lidhur me mundësinë e çeljes së hetimit gjyqësor, ai u shpreh se nuk ishte njohur me gjithë dokumentacionin e korrespodencës së KPA-së me institucionet.
Ballhysa tha se bazuar në dokumentacionin që dispononte vërehej se njoftimi i kryer prej Gjykatës së Tiranës ishte i pavlefshëm pasi nuk i përmbante të dhënat që kërkon ligji. “Nuk kuptohet se kujt i është njoftuar vendimi i KLGJ, ndërkohë që subjekti nuk ka qenë në punë në atë periudhë, pasi është larguar”, pohoi Komisioneri.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu