img
    Nga: Zeri i Amerikes datë: 2020/06/18

Tiranë, shkarkohet gjyqtarja Fatmira Hajdari për pasuri të pajustifikuar

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari.
Vendimi i zgjeruar pritet të dalë pas disa javësh, por vlerësohet se ai erdhi prej pasurive të pajustifikuara të zonjës Hajdari dhe pas revokimit të dy vizave amerikane për udhëtime drejt SHBA-ve.
Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, u pyet të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për transaksionet me prona, për ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje dhe për bilancin negativ në pasurinë, që shkon në rreth 500 mijë dollarë. Në Komision u përmendën një sërë pasurish, që nuk ishin deklaruar asnjëherë. Po ashtu, zonja Hajdari u vlerësua pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rivlerësimi për zonjën Hajdari u krye nga një trupë e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja. Ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.
Relatorja tha se zonja Hajdari nuk i deklaroi dy vizat amerikane si të revokuara, duke shënuar nëpër formularë se nuk i ishte refuzuar hyrja në vende të BE-së apo Aleancës së Atlantikut. Ajo citoi deklaratën e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, sipas të cilës, “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar”.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu