img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/10/07

Prokurorja Afërdita Ndoi përballet me vetingun

Prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Afërdita Ndoi, u përball të mërkurën me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në të tri kriteret e rivlerësimit.

Procesi i vetingut për prokuroren Ndoi po realizohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Ndoi është diplomuar në shkollën e Magjistraturës në vitin 2003. Ajo është emëruar fillimisht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe është transferuar në vitin 2009 në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Subjekti është vlerësuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) për të tri kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Ajo u përball të mërkurën në seancë dëgjimore me gjetjet e hetimit administrativ të Komisionit dhe pyetje për asetet e krijuara gjatë viteve si subjekt i ligjit të deklarimit të pasurive dhe likuiditet e deklaruara.

Prokurorja Ndoi u vlerësua në mënyrë pozitive nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, për sa i përket pastërtisë së figurës, pasi nuk ka lidhje me krimin e organizuar dhe si rrjedhim vlerësohet e përshtatshme për vazhdimin e detyrës në sistemin e drejtësisë.

Ajo është vlerësuar gjithashtu pozitivisht nga Prokuroria e Përgjithshme për sa i përket profesionalizmit, por është përballur me pyetje për një dosje hetimore për veprën penale ‘mjekim të paligjshëm’ pas një denoncimi anonim.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu