img
    Nga: exit.al datë: 2020/10/06

Shkarkohet gjyqtari Cena, bleu dy shtëpi në Gjermani me para dhuruar nga familja

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të martën nga detyra gjyqtarin e Tiranës Neritan Cena, për shkak të problemeve me pasurinë.

Vendimi u mor nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.

Gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti se transaksione të shumta problematike në dhurata e hua, si dhe kontrata të dyshimta për shitjen e dy makinave.

Sipas KPK-së, Cena ka blerë dy apartamente në Bremen të Gjermanisë dhe një apartament në Tiranë, të cilat i ka paguar me anë të dhuratave dhe huave nga persona të afërt, si babai, motra, kunata, baxhanaku dhe një djalë daje.

Pavarësisht se gjyqtari ka deklaruar saktë shumat e marra hua, personat të cilat i kanë dhënë huat, nuk kanë mundur të justifikojnë shumat e parave.

Cena pati probleme dhe me kontratat për shitjen e dy makinave, të cilat rezultoi se i ka shitur me çmim më të shtrenjtë se ai i blerjes, pas disa viteve përdorim.

Gjyqtari u përball gjatëë seancës dhe me vëzhguesin e ONM-së Steven Kessler. Ky i fundit e pyeti gjyqtarin se si ka mundësi që ka marrë kaq shumë dhurata nga njerëz që nuk mund ta justifikojnë të bëjnë kaq shumë dhurata. Po ashtu ai shprehu dyshimin se si Cena vetëm ka marrë dhurata, por nuk ka bërë asnjë dhuratë drejt familjarëve të tij.

Cena u ankua për këto akuza që i quajti “aludime të pavërteta” dhe “të qëllimshme” nga ana e vëzhguesit ndërkombëtar.

Ai kundërshtoi dhe gjetjet e KPK-së dhe tha se familja e tij ka bërë një jetë modeste.

Pavarësisht se ai kërkoi rikonfirmimin në detyrë, KPK vendosi për shkarkimin e tij.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu