img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/10/02

Kërkesa për shkarkim, KLGJ cakton seancën me gjyqtarin Markelian Kuqo

Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi të premten se kishte vendosur të thërriste një seancë dëgjimore me gjyqtarin Markelian Kuqo, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e tij për “shkelje shumë të rëndë disiplinore” në vendimin për lirimin e Gerd Gjeneralit (Gjinarari), i dënuar me burg përjetë për vrasje.

Në njoftim për shtyp, KLGJ bën me dije se kishte filluar shqyrtimin e kërkesës së ILD-së, e para e këtij lloji që prej krijimit të institucionit në fillim të ketij viti, por do shtynte seancën me kërkesë të gjyqtarit.

“Pas fillimit të shqyrtimit të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor në ngarkim të {…} me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor {…}, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së magjistratit nën procedim për shtyrjen e seancës dëgjimore me datë 14 Tetor 2020, me qëllim ushtrimin prej tij të të drejtës efektive të mbrojtjes, në zbatim të parimeve themelore të ligjshmërisë si dhe procesit të rregullt ligjor,” thuhet në njoftim e KLGJ.

Në njoftimin e saj, Këshilli i Lartë Gjyqësor vazhdoi praktikën e anonimizimit të emrit të gjyqtarit, përkundër çdo nevoje minimale transparence dhe në injorim të faktit se bëhet fjalë për një funksionar publik dhe për një vendim gjyqësor të dhënë prej tij –gjithashtu dokument publik. Ngjashëm, edhe ILD përdori vetëm inicialet e gjyqtarit dhe të dënuarit.

ILD e fajëson Kuqon për një sërë shkeljesh në raportin që i dërgoi KLGJ-së.

“Hetimi disipinor ka konstatuar mes të tjerash, zbatim të gabuar të dispozitave të ligjit material dhe procedurial penal; referenca kontradiktore; mosrespektim të kritereve ndaluese të lirimit me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje; arsyetim jo në përputhje me provat e administruara në gjykim e as me faktet dhe rrethanat e provuara gjatë procesit gjyqësor. Këto të fundit janë parashtruar dukshëm në mënyrë të shtrembëruar”, thuhet në njoftimin e Inspektoriatit.

ILD po ashtu vë në dukje se shkelja disiplinore ishte me pasoja të rënda dhe se i dënuari i liruar ishte rrezik për komunitetin. Sipas ILD, vendimi kishte pasoja për besimin e publikut te drejtësia dhe mund të krijonte një precedent të rrezikshëm.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu